E-Mail: info@lapsh-zh.ch Bildungsdirektion Kanton Zürich-Volksschulamt Plani mësimor kornizë Informatë për prindër Fletëparaqitje për regjistrim në shkollën shqipe MINISTRIA E ARSIMIT SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË SË KOSOVËS Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë



NË CYRIH U FESTUA DITA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË


Festa e 28 nëntorit e organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë për kantonin e Cyrihut e cila u mbajt në sallën e Restaurantit Salmen në Schlieren, kishte tubuar një numër të madh të nxënësve dhe prindërve shqiptar.


Në fillim të gjithë fëmijët e shkollës shqipe u ngjiten në skenë për të intonuar himnin e flamurit kombëtar, nën dirigjimin e mësuesit Hasan Spahiu.


Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut filloi me pjesën zyrtare të fjalimeve dhe përshëndetjeve në këtë tubim.


Pastaj mori fjalën ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni, ku i përshëndeti të pranishmit, duke falënderuar LAPSH-in për punën dhe mundin që po jep në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ambasadori nga Shqipëria ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.


Të pranishmit i ka përshëndetur edhe konsullja kosovare në Cyrih, Lurata Berisha, e cila tha se me këto aktivitete nxënësit i shtojnë madhështinë festave të nëntorit, edhe ajo iu ka bashkangjitur thirrjes për sensibilizimin e prindërve për t’i dërguar fëmijët në shkollën shqipe.


Kryetari i LAPSH-it për Zvicër, Nexhat Maloku ka njoftuar të pranishmit për mundësinë  e regjistrimit të fëmijëve në shkollën shqipe.


Pastaj ka vazhduar programi artistik, i përgatitur kryesisht nga nxënësit me recitale, vjersha dhe këngë, e ftuar ishte edhe SH.K.A. “Rilindja” nga Winterthuri, e cila u paraqit me disa valle të bukura shqipe.

Kurse kori i grave “Lyra” nga Cyrihu i ka argëtuar të pranishmit me disa këngë popullore dhe këngë të vjetra qytetare.


LAPSH-i për Kantonin e Cyrihut nderoj me mirënjohje mësuesin Hasan Spahiun, i cili është pensionuar pas 18 vite punë në shkollën shqipe në Zvicër.


Pjesa e dytë e programit filloi me muzikë popullore me këngëtarin e njohur Gëzim Jaha ku i ftoi të pranishmit në vallëzim, e së bashku mësues, nxënës, prindër dhe mysafirë të tjerë u kënaqën nën tingujt e muzikës popullore deri ne orët e vona të mbrëmjes.


Manifestimin e përcjellën mediat e shkruara si albinfo dhe Tv Diaspora


____________________

 | LAPSH Cyrih | 3 dhjetor 2017 |