E-Mail: info@lapsh-zh.ch Bildungsdirektion Kanton Zürich-Volksschulamt Plani mësimor kornizë Informatë për prindër Fletëparaqitje për regjistrim në shkollën shqipe MINISTRIA E ARSIMIT SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË SË KOSOVËS Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë


  

Në Volkshaus të Cyrihut LAPSh „ Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut mbajti takim pune me temën:


Bashkëpunimi me prindërit shqiptarë të Kantonit të Cyrihut,

për rritjen e numrit të nxënësve në shkollën shqipe


Në një atmosferë pune, me 28 qershor 2015, në një nga sallat e Volkshaus-it, në Cyrih, LAPSH për Kantonin e Cyrihut, zhvilloi një takim pune me prindërit shqiptarë, ku për temë kishte shtimin e numrit të nxënësve në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Kantonin e Cyrihut.

Në këtë takim pune merrnin pjesë mysafirë dhe arsimdashës të shumtë të cilët kishin ardhur që secili sadopak të jap mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet e veta, në mënyrë që të bëhet një masivizim sa më i madh i nxënësve në shkollën shqipe. Përpos të gjithë mësimdhënësve të lash nga Kantoni i Cyrihut, ishin të pranishëm edhe konsulli i Republikës  së Kosovës, zoti Islam Spahiu, zotëriu Teuteberg Heiner – ish inspektor zviceran i arsimit, Hamëz Morina- mësues veteran, Zeqë Gashi- udhëheqës i ansamblit "Trojet" nga Winterthuri, Mimoza Sejdiu- ish nxënëse e shkollës shqipe dhe prindër e nxënës maturantë, të cilët me padurim prisnin momentin e shumëpritur, marrjen e diplomës.

Takimi u zhvillua nën moderimin e sekretarit të LAPSh-it, zotit Hasan Spahiut, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi prindërit shqiptarë që për 24 vjet e përkrahën shkollën shqipe. Pastaj fjalën e mori kryetari i LAPSH –it për Kantonin e Cyrihut, zoti Naser Ulaj. Zoti Ulaj pas përshëndetjes bëri një historik dhe analizë të shkurtër të shkollës shqipe që nga themelimi i saj. Ai i njoftoi prindërit se çka mësojnë nxënësit që nga klasa e parë e deri te diplomimi. Zoti Ulaj shprehu pakënaqësi me përfshirjen e nxënësve në shkollën shqipe dhe theksoi se numri i nxënësve është në rënie e sipër. Këtë vit shkollor, në Kantonin e Cyrihut punojnë 10 mësimdhënës/e, në 52 klasa, me gjithsej 642 nxënës. Pra numër shumë i vogël në krahasim me vitet tjera dhe kur dihet se sa nxënës shqiptarë banojnë në këtë kanton.

Fjalën e mori konsulli i Republikës së Kosovës, z. Islam Spahiu i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, apeloi te të gjithë prindërit shqiptarë që sa më shumë t'i çojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Ai foli për rëndësinë e shkollës shqipe në mërgatë, ku ndër të tjera theksoi se edhe ai vetë ishte dhe është  pjesë e mërgatës dhe prind. Konsulli vlerësoi lart kontributin e mësuesve, të cilët punojnë nën kushte të vështira. Ai tha se është duke u punuar se si të përmirësohen këto kushte, dhe se integrimi sa më i mirë i fëmijëve, zvogëlon mundësinë që fëmijët të bien pre e rrymave të ndryshme radikale.

 Miku i shqiptarëve dhe një ish-inspektor i arsimit zviceran,  zoti Heiner Teuteberg, foli për rëndësinë e mësimit plotësues dhe theksoi se në fillim të hapjes së këtyre shkollave, qëllimi ka qenë që nxënësit të përgatiten për kthim në vendin e origjinës, ndërsa sot qëllimi është që nxënësit sa më mirë të integrohen dhe të mësojnë të lëvizin mes kulturave të ndryshme dhe të mësojnë gjuhën e tyre të parë.

Kryetari i LAPSH, për Zvicër dhe koordinatori për kantonin e Cyrihut, zoti Nexhat Maloku, njoftoi prindërit për bashkëpunimin me palën zvicerane, dhe përfaqësimin e LAPSh-it në kuadër të arsimit në Kantonin e Cyrihut në përgjithësi. Ai tregoi se si bashkëpunohet duke cekur se LAPSH-i bashkëpunon ngushtë me komisionet arsimore, ndërkulturore etj. Zoti Maloku i informoi të pranishmit se si bëhet informimi i prindërve, si janë të pajisur nxënësit me tekstet shkollore, si vizitohen mësuesit nga pala zvicerane,si merret nota dhe bartet në dëftesën e shkollës zvicerane dhe specifikat tjera të këtij mësimi.

Në këtë takim ishte e pranishme një ish nxënëse e kësaj shkolle, Mimoza Sejdiu e cila me një gjuhë të rrjedhshme u prezentua para prindërve, se edhe ajo ka qenë nxënëse e kësaj shkolle dhe se ky mësim i ka ndihmuar mjaft. Ajo iu drejtua publikut me: A po e shihni sa rrjedhshëm e flas gjuhën shqipe?

Pas këtyre prezantimeve, filloi debati me prindër. Por edhe maturantët nuk mbetën pasiv dhe edhe ata u ndanë në grupe dhe i dhanë lëvdatat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

 Prindërit të cilët shtruan çështje dhe bënë pyetje edhe për konsullin edhe për kryesinë e punës ishin: Hasan Bunjaku, Bashkim Kasumaj, Sadik Azemi, Agron Ismaili, Asllan Metaj, Ruzhdi Haziraj e plotë të tjerë.

Çështjet që u diskutuan ishin:

– Institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes për orientimet e të rinjve, por edhe LAPSH duhet të luaj rolin e vet.

– Të mbahen takime me tematikë arsimore dhe kulturore

– Shteti zviceran të merret më tepër me fenomenin e fundamentalizmit

– Informimi i shkollës shqipe të jetë i vazhdueshëm

– Të sqarohet se çka mund të bëjë konsullata e Republikës së Kosovës për masivizimin e shkollës shqipe.

– Të ketë një participim mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës në çështje të financimit

– Të punohet që mësimi plotësues të jetë në kuadër të mësimit të rregullt.

– Në fillim të vitit shkollor të mbahen takime informative me prindër, duke bashkëpunuar edhe me shoqatat tjera kulturore shqiptare.

 Në fund të këtij takimi u ndanë edhe diplomat për maturantët dhe u bë një fotografi e përbashkët. Ishte kënaqësi të shohësh gëzimin e nxënësve duke marrë diplomat dhe urimet e mësuesve për suksese të mëtejme.




TË DIELËN  MË 10 KORRIK 2016, NË FUSHËN SPORTIVE HEERENSCHÜRLI  ZÜRICH U MBAJT TURNIRI I FUTBOLLIT I ORGANIZUAR NGA  LAPSH-i PËR KANTONIN E CYRIHUT



Me rastin e përfundimit të këtij viti shkollor, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "N. Frashëri" për Kantonin e Cyrihut organizoi një turnir të futbollit, në të cilin morën pjesë nxënës, prindër e mësimdhënës.


Nē një ditë të bukur, me diell, në fushën sportive Heerenschürli në Schwamendingen të Zürich-ut, u tubuan nxënës, prindër dhe mësimdhënësit e LAPSH -it të Zürich-ut për të zhvilluar ndeshje në futboll të vogël. Fusha e sportit u zbukurua aq bukur nga veshjet e ndryshme sportive ku sundonte ngjyra kuq e zi dhe ngjyra të ndryshme, varësisht nga dëshirat e nxënësve.

Dikush në dresë kishte emrin e vetë, dikush emra nga kombëtarja e dikush emra të famshëm të futbollit. Ishte një atmosferë sportive.


Ndeshjet u zhvilluan në tri nivele. Nxënësit kishin gjetur emra të ndryshëm për ekipet e tyre, ca mbanin emra qytetesh nga Atdheu, ca emra nga historia e gjeografia: Skënderbeu, Kuqezi, Gjakova, Arsimi, Shqiponja etj. Nxënësit pritnin me padurim që referi të jep shenjë për fillimin e lojës. Fitohej përshtypje se po luhet paraloja e ndeshjes finale Portugalia & Franca.


Nxënësit treguan talentin e tyre e sidomos lojën fer. Pra turniri u zhvillua pa asnjë lëndim. Vlen të përmendet referimi ishte shumë në nivel i referëve Rifat Kika dhe Edin Pacolli. Pasi u zhvilluan ndeshjet finale në çdo nivel, në fund u zhvillua ndeshja në mes të nxënësve të nivelit të tretë dhe ekipit të përzier mësues- prind. Ndeshjet i përcolli edhe përfaqësuesja e qendrës  për kulturë zonja Shukrije Ramadani.


Sponsor ishte ministria e Diasporës ekipet e para dhe të dyta u shpërblyen me nga një top futbolli. Falënderojmë edhe restorantin Era Ora në Embrach për mbështetjen e turnirit. Në fund të turnirit të gjithë përshëndeteshin me njëri tjetrin duke uruar se vitin e ardhshëm turniri të jetë më madheshtor se kësaj radhe.


____________

LAPSH Cyrih