Bildungsdirektion Kanton Zürich-Volksschulamt Plani mësimor kornizë Informatë për prindër Fletëparaqitje për regjistrim MINISTRIA E ARSIMIT SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË SË KOSOVËS Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë



Donacionet & Anëtarsimi


LAPSH PËR KANTONIN E CYRIHUT KREMTOJ FESTËN E 28 NËNTORIT


Në program ndonjë artistë me zë që të mbushet salla, por fëmijët mërgimtarë, ishin ata që këndonin e recitonin. Ka pasur shumë manifestime në gjithë diasporë tonë, diku ishim prezent e diku jo, por lirisht mundet të thuhet, se ky manifestim për nga përmbajtja ishte më i veçanti. Brezi i ri po i këndon flamurit, dëshmorëve të kombit e vendit të të parëve. Tashmë, jemi me gjeneratën e katërt në diasporë. LAPSH-i për kantonin e Cyrihut jo pa vështirësi, po i përballon kohës së pakohë dhe po e mbush sallën përplot e përplot me bashkatdhetarë dhe mbi të gjitha, programi prej fillimit e deri në mbarim ishte me fëmijët mërgimtarë. Me modesti kryesia e LAPSH-it me në ballë, z. Naser Ulaj, pritshin mysafiret e ftuar dhe në anën tjetër, vraponin, që gjithçka të jetë në rregull, gjithçka të shkoj mirë. Winterthuri një qytet i bukur e përplot me bashkatdhetarë, ishte qendra e organizimit edhe për LAPSH-in e kantonin Cyrih. Kuq e zi. Gjithkah shihej flamuri ynë kombëtar.

Edhe nëpër dyert e sallës, kishte punime të nxënësve, që kishin vizatuar atdhetarët tanë, dëshmorët si dhe shkruanin e kujtonin edhe për viset tjera shqiptare që janë të ndara nga trungu, kjo i gjasonte gazetës së murit. Salla ishte e përmbushur me bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare. Është thënë dhe është e vërtetë, se është LAPSH që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare, pa dallim besimi apo bindje politike.

Kur edhe afrohej që të filloj programi e jashtë binte një shi i madh, fëmijët vraponin menjëherë pas mësueses apo mësuesit të tyre për ti treguar se jemi gati për programin. Kishin punuar me muaj të tërë. Për çdo respekt është puna e madhe që bëjnë mësuesit e LAPSH-it. E pamundur, që përmes pak fjalëve të këtij reportazhi të përshkruajmë gjithë atë që e kemi parë. Edhe pse isha në cilësinë e mysafirit, nuk munda të mos shkruaj një reportazh për këtë ngjarje të madhe kombëtare e kur dihet, se nga kush po organizohet. Kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, z. Naser Ulaj, gjithnjë në bashkëbisedime me prindër, me nxënës, kolegë dhe me bashkatdhetarë. Skena ishte e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në anën e majtë të sallës, ishin disa tavolina të rezervuara për ambasadorët shqiptarë, atë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe të konsullatës së Kosovës në Cyrih si dhe për deputetët shqiptarë kantonal dhe disa afaristëve.

Për fat të mirë u mbushën edhe ato vende që ishin rezervuar, ngase munguan ambasadorët dhe prezantuan nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, znj. Arjeta Gallopeni, konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih, pastaj z. Avni Zejnullahu zv. Konsull, si dhe deputeti kantonal, si Dafi Muharremi, etj. Mysafiret u falënderoshin nga kryesia e LAPSH-it. Në sallë shihej edhe z. Nexhat Maloku, ish kryetar i LAPSH-it për Zvicër i cili me shumë dashamirësi bisedonte me mësuesit dhe prindër të fëmijëve të shkollës plotësuese shqipe. Prezent ishin edhe shumë veprimtarë të të gjitha trevave shqiptare, si z. Rafet Ademi, veprimtarë nga Lugina e Preshevës, Adem Osmani me bashkëshorten e tij dhe disa veprimtarë të tjerë.

Ajo që i binte në sy të gjithëve dhe bënin foto të shumta para se të filloj programi, ishte flamuri kuq e zi me një madhësi të madhe prej, 6 m/4.5 metra, ku ishte punuar në Kosovë, konkretisht në Gjakovë, falë bashkatdhetarit, z. Arsim Ahmetaj së bashku me bashkëshorten nga Shqiponja e Komunës së Gjakovës. Ishte syri i TV Diaspora me editorin e saj z. Esat Husaj, që kishte ardhur enkas për të përcjell këtë program nga LAPSH-i për kantonin e Cyrihut.

Pas himnit kombëtar dhe të Kosovës, në skenë fjala hyrëse e përshëndetëse iu dha z. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut. Ai ndër të tjera i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi nëntorin e shqiptarëve dhe 111 vjetorin e shtetit shqiptarë si dhe elaboroi disa fjalë për 28 Nëntorin.

Gjithashtu, z. Ulaj, falënderoi gjithë ekipin e mësuesve, prindërve, kryesinë e LAPSH-it, donatorët, shtetin zviceran për mbështetje dhe të gjithë të pranishmit. Ai shtoi, se jo pa vështirësi po funksionon LAPSH-i, por ne nuk do të ndalemi. Nuk jemi dorëzuar në ditët më të vështira dhe do të vazhdojmë deri sa të kemi frymën e fundit të kësaj jete, sepse puna jonë është e shenjtë, ne po punojmë për të ruajtur gjuhën tonë të bukur shqipe. Falënderojmë edhe shtetin zviceran që na ka dhënë mundësinë. LAPSH-i ishte e do të mbetet formula e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Nuk kemi kursyer asgjë, që të punojmë për brezat e rinjë që po rriten e edukohen në diasporë. A ka më të mirë kur po i dëgjojmë sa bukur po recitojnë, këndojnë e flasin për historinë tonë kombëtare. Presim bashkëpunim më të mirë nga shtetet tona që të japim edhe më të mirën për gjeneratën e re. Kemi një rini të shkëlqyer, që edhe nëpër shkollat zvicerane po korrin suksese e dita ditës po dalin intelektual të shumtë. Të punojmë sa më shumë, që të ruajmë gjuhën e traditën tonë kombëtare.

Fjala përshëndetëse iu dha edhe znj. Arjeta Gallopeni, Konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih e cila përshëndeti kryesinë e LAPSH-it, mësueset/it, të gjithë bashkatdhetarët dhe i uroi për 28 Nëntorin, ndër të tjera vlerësoi lart punën, që po bënë LAPSH-i për gjuhën shqipe. Atëherë, kur i pamë fëmijët në skenë të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe në duart e tyre shiheshin telefonat duke regjistruar buzëqeshjet e përshëndetjet e sinqerta të fëmijëve.

Origjinaliteti i nxënësve të shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ i mbante në emocione të gjithë të pranishmit

Programet e LAPSH-it në Cyrih, dihen se janë me hyrje të lirë, pra nuk kanë obligime të pranishmit që të paguajnë. Sytë e fëmijëve ishin të sinqertë, duke shikuar mos po i shohin prindërit e tyre e familjen, ku krenoheshin, se kanë ardhur për ti përcjell. Mësueset/it, kishin një punë të madhe, duke dashur që gjithçka të shkoj mirë. Pas çdo poezie, kënge dhe valleje, fëmijët merrnin duartrokitje. Kishte shkuar ora 21.00 dhe salla ishte përplot. Aty në mes të programit, këshilli organizativ i LAPSH bëri mirë, që dha 15 minuta një pushim të shkurtër deri sa të përgatiten fëmijët për të vallëzuar e në anën tjetër, këngëtarit Gëzim Jaha iu dha fjala dhe fjala e tij ishte kënga e bukur shqipe. Të gjithë të pranishmit filluan të këndojnë këngë të bashkimit kombëtar. Moderatori, z. Ramadan Morina, me moderimin e tij të shkëlqyer, herë pas here jepte edhe humorin e bukur.

I gjithë stafi i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut meriton mirënjohje për punën e tyre vullnetare që po e bëjnë për këto manifestime. Që të mos fillojmë me e përmend ndonjërin, se mundemi me e harru dikend. Por, jam shumë i sigurt, se nuk bëjnë punë për ti përmendur, por të dhënë kontribut kombëtar.

E shtuna dhe e diela është ditë pushimi për shumicën e mërgatës, por për mësuesit jo, ata me muaj të tërë, të shtunave e të dielave kanë punuar që nxënësit e tyre të prezantohen dhe ti këndojnë e recitojnë gjuhës shqipe, flamurit kombëtar e heronjëve.

E papërshkrueshme ishte zëri i fëmijëve, kur i kënduan Adem Jasharit, që të gjithë me një zë dhe duke prekur edhe ballin e tokën, për t`iu përshtatur tekstit. Përbesë, punë e madhe e mësuesëve.

Për çdo lëvdatë. Nxënësit e shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“, me besim të plotë, me veshje kombëtare dhe shumë të tjerë me kravata moderne, dëshmonin, se rinia shqiptare nuk do të harroj kurrë prejardhjen e tyre dhe do të punojnë për të ruajtur gjuhën. Do të vije koha, që këta fëmijë të vegjël, që janë rritur e po rriten në diasporë, një ditë, do të kërkojnë fotografitë e tyre nëpër manifestime të ndryshme, por edhe video e shkrime që janë shkruar për ata. E për mësuesit nuk ka mirënjohje më të madhe, se do të jenë të përjetshëm në zemrat e gjeneratave, që do të vijnë e do të kujtohen me dekada e shekuj. Ashtu siç pamë në heshtje pa e thënë më gjatë nga kryesia e LAPSH-it dhe mësuesve, kërkojnë mbështetje më të madhe nga të gjithë ata, që munden dhe janë kompetent.

Sa herë, që jemi bashkë, dalim fitues. Detyra e mësuesit në diasporë është e shenjtë, ata me vite e vite kanë punuar në LAPSH dhe nuk do të dorëzohen, sepse para vetes kanë qëllimin apo interesin për ta ruajtur gjuhën shqipe dhe jo për të rrahur gjoksin. Nuk mungonin edhe përqafimet e fëmijëve nga mësuesit e tyre, sepse ishin të kënaqur me prezantimin, por edhe të prindërve të tyre, që shiheshin edhe lotët e gëzimit. Buqetat me lule merrnin edhe mësueset e mësuesit. Krejt në fund, u ndanë edhe mirënjohje për veprimtarin e njohur z. Adem Osmani me bashkëshorten e tij, si përkrahës i LAPSH edhe për kantonin Cyrih, si dhe veprimtarin tjetër, z. Fadil Sylaj i cili ka dhënë kontribut, pra është një nga administratorët e parë të LAPSH për kantonin Cyrih. Edhe z. Osmani dhe Sylaj, falënderuan kryesinë e LAPSH-it dhe vlerësuan lart punën që po bëjnë.

Në fund të programit z. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut falënderoi kryesinë, mësueset/it, prindërit, nxënësit, afaristët, mediat dhe të gjithë bashkatdhetarët, që kanë kontribuar e po kontribuojnë për shkollën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe i uroi që të gjithë për festat e fundvitit, shëndet e sa ma shumë lajme të mira për kombin tonë, paqe gjithandej dhe të jemi të bashkuar. Flamuri kombëtar, ai i Zvicrës dhe i Kosovës, pastaj plisi, sofra dhe Hyjnesha në fron e fëmijët në skenë me veshje kombëtare, portretet e dëshmorëve të kombit, të gjasonte se je në trevat tona shqiptare. LAPSH-i ishte e do të mbetet, formula më e mirë e mundshme, që i bashkon të gjithë shqiptarët rreth flamurit tonë kombëtar, pa dallim nga cila trevë vjen, cilit besim i takon apo bindjes politike. Le të jetë ashtu, gjuha shqipe do të jehoj për jetë të jetëve.

Gëzuar festat e fundvitit! Bashkë dhe vetëm bashkë!

Teksti: Dashnim HEBIBI

Fotot: Lulzim HASI