Në Volkshaus të Cyrihut LAPSh „ Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut mbajti takim pune me temën:
Bashkëpunimi me prindërit shqiptarë të Kantonit të Cyrihut,
për rritjen e numrit të nxënësve në shkollën shqipe
Në një atmosferë pune, me 28 qershor 2015, në një nga sallat e Volkshaus-it, në Cyrih, LAPSH për Kantonin e Cyrihut, zhvilloi një takim pune me prindërit shqiptarë, ku për temë kishte shtimin e numrit të nxënësve në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Kantonin e Cyrihut.
Në këtë takim pune merrnin pjesë mysafirë dhe arsimdashës të shumtë të cilët kishin ardhur që secili sadopak të jap mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet e veta, në mënyrë që të bëhet një masivizim sa më i madh i nxënësve në shkollën shqipe. Përpos të gjithë mësimdhënësve të lash nga Kantoni i Cyrihut, ishin të pranishëm edhe konsulli i Republikës së Kosovës, zoti Islam Spahiu, zotëriu Teuteberg Heiner – ish inspektor zviceran i arsimit, Hamëz Morina- mësues veteran, Zeqë Gashi- udhëheqës i ansamblit "Trojet" nga Winterthuri, Mimoza Sejdiu- ish nxënëse e shkollës shqipe dhe prindër e nxënës maturantë, të cilët me padurim prisnin momentin e shumëpritur, marrjen e diplomës.
Takimi u zhvillua nën moderimin e sekretarit të LAPSh-it, zotit Hasan Spahiut, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi prindërit shqiptarë që për 24 vjet e përkrahën shkollën shqipe. Pastaj fjalën e mori kryetari i LAPSH –it për Kantonin e Cyrihut, zoti Naser Ulaj. Zoti Ulaj pas përshëndetjes bëri një historik dhe analizë të shkurtër të shkollës shqipe që nga themelimi i saj. Ai i njoftoi prindërit se çka mësojnë nxënësit që nga klasa e parë e deri te diplomimi. Zoti Ulaj shprehu pakënaqësi me përfshirjen e nxënësve në shkollën shqipe dhe theksoi se numri i nxënësve është në rënie e sipër. Këtë vit shkollor, në Kantonin e Cyrihut punojnë 10 mësimdhënës/e, në 52 klasa, me gjithsej 642 nxënës. Pra numër shumë i vogël në krahasim me vitet tjera dhe kur dihet se sa nxënës shqiptarë banojnë në këtë kanton.
Fjalën e mori konsulli i Republikës së Kosovës, z. Islam Spahiu i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, apeloi te të gjithë prindërit shqiptarë që sa më shumë t'i çojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Ai foli për rëndësinë e shkollës shqipe në mërgatë, ku ndër të tjera theksoi se edhe ai vetë ishte dhe është pjesë e mërgatës dhe prind. Konsulli vlerësoi lart kontributin e mësuesve, të cilët punojnë nën kushte të vështira. Ai tha se është duke u punuar se si të përmirësohen këto kushte, dhe se integrimi sa më i mirë i fëmijëve, zvogëlon mundësinë që fëmijët të bien pre e rrymave të ndryshme radikale.
Miku i shqiptarëve dhe një ish-inspektor i arsimit zviceran, zoti Heiner Teuteberg, foli për rëndësinë e mësimit plotësues dhe theksoi se në fillim të hapjes së këtyre shkollave, qëllimi ka qenë që nxënësit të përgatiten për kthim në vendin e origjinës, ndërsa sot qëllimi është që nxënësit sa më mirë të integrohen dhe të mësojnë të lëvizin mes kulturave të ndryshme dhe të mësojnë gjuhën e tyre të parë.
Kryetari i LAPSH, për Zvicër dhe koordinatori për kantonin e Cyrihut, zoti Nexhat Maloku, njoftoi prindërit për bashkëpunimin me palën zvicerane, dhe përfaqësimin e LAPSh-it në kuadër të arsimit në Kantonin e Cyrihut në përgjithësi. Ai tregoi se si bashkëpunohet duke cekur se LAPSH-i bashkëpunon ngushtë me komisionet arsimore, ndërkulturore etj. Zoti Maloku i informoi të pranishmit se si bëhet informimi i prindërve, si janë të pajisur nxënësit me tekstet shkollore, si vizitohen mësuesit nga pala zvicerane,si merret nota dhe bartet në dëftesën e shkollës zvicerane dhe specifikat tjera të këtij mësimi.
Në këtë takim ishte e pranishme një ish nxënëse e kësaj shkolle, Mimoza Sejdiu e cila me një gjuhë të rrjedhshme u prezentua para prindërve, se edhe ajo ka qenë nxënëse e kësaj shkolle dhe se ky mësim i ka ndihmuar mjaft. Ajo iu drejtua publikut me: A po e shihni sa rrjedhshëm e flas gjuhën shqipe?
Pas këtyre prezantimeve, filloi debati me prindër. Por edhe maturantët nuk mbetën pasiv dhe edhe ata u ndanë në grupe dhe i dhanë lëvdatat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
Prindërit të cilët shtruan çështje dhe bënë pyetje edhe për konsullin edhe për kryesinë e punës ishin: Hasan Bunjaku, Bashkim Kasumaj, Sadik Azemi, Agron Ismaili, Asllan Metaj, Ruzhdi Haziraj e plotë të tjerë.
Çështjet që u diskutuan ishin:
– Institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes për orientimet e të rinjve, por edhe LAPSH duhet të luaj rolin e vet.
– Të mbahen takime me tematikë arsimore dhe kulturore
– Shteti zviceran të merret më tepër me fenomenin e fundamentalizmit
– Informimi i shkollës shqipe të jetë i vazhdueshëm
– Të sqarohet se çka mund të bëjë konsullata e Republikës së Kosovës për masivizimin e shkollës shqipe.
– Të ketë një participim mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës në çështje të financimit
– Të punohet që mësimi plotësues të jetë në kuadër të mësimit të rregullt.
– Në fillim të vitit shkollor të mbahen takime informative me prindër, duke bashkëpunuar edhe me shoqatat tjera kulturore shqiptare.
Në fund të këtij takimi u ndanë edhe diplomat për maturantët dhe u bë një fotografi e përbashkët. Ishte kënaqësi të shohësh gëzimin e nxënësve duke marrë diplomat dhe urimet e mësuesve për suksese të mëtejme.
TË DIELËN MË 10 KORRIK 2016, NË FUSHËN SPORTIVE HEERENSCHÜRLI ZÜRICH U MBAJT TURNIRI I FUTBOLLIT I ORGANIZUAR NGA LAPSH-i PËR KANTONIN E CYRIHUT
Me rastin e përfundimit të këtij viti shkollor, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "N. Frashëri" për Kantonin e Cyrihut organizoi një turnir të futbollit, në të cilin morën pjesë nxënës, prindër e mësimdhënës.
Nē një ditë të bukur, me diell, në fushën sportive Heerenschürli në Schwamendingen të Zürich-ut, u tubuan nxënës, prindër dhe mësimdhënësit e LAPSH -it të Zürich-ut për të zhvilluar ndeshje në futboll të vogël. Fusha e sportit u zbukurua aq bukur nga veshjet e ndryshme sportive ku sundonte ngjyra kuq e zi dhe ngjyra të ndryshme, varësisht nga dëshirat e nxënësve.
Dikush në dresë kishte emrin e vetë, dikush emra nga kombëtarja e dikush emra të famshëm të futbollit. Ishte një atmosferë sportive.
Ndeshjet u zhvilluan në tri nivele. Nxënësit kishin gjetur emra të ndryshëm për ekipet e tyre, ca mbanin emra qytetesh nga Atdheu, ca emra nga historia e gjeografia: Skënderbeu, Kuqezi, Gjakova, Arsimi, Shqiponja etj. Nxënësit pritnin me padurim që referi të jep shenjë për fillimin e lojës. Fitohej përshtypje se po luhet paraloja e ndeshjes finale Portugalia & Franca.
Nxënësit treguan talentin e tyre e sidomos lojën fer. Pra turniri u zhvillua pa asnjë lëndim. Vlen të përmendet referimi ishte shumë në nivel i referëve Rifat Kika dhe Edin Pacolli. Pasi u zhvilluan ndeshjet finale në çdo nivel, në fund u zhvillua ndeshja në mes të nxënësve të nivelit të tretë dhe ekipit të përzier mësues- prind. Ndeshjet i përcolli edhe përfaqësuesja e qendrës për kulturë zonja Shukrije Ramadani.
Sponsor ishte ministria e Diasporës ekipet e para dhe të dyta u shpërblyen me nga një top futbolli. Falënderojmë edhe restorantin Era Ora në Embrach për mbështetjen e turnirit. Në fund të turnirit të gjithë përshëndeteshin me njëri tjetrin duke uruar se vitin e ardhshëm turniri të jetë më madheshtor se kësaj radhe.
____________
LAPSH Cyrih
Cyrih, 02.06.2024
LAPSH-i «Naim Frashëri» i kantonit të Cyrihut organizon turnir në futboll për nxënësit shqiptarë të cilët ndjekin mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare shqipe.
Në një atmosferë të përzemërt dhe festive duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit të së dielës së 2 qershorit 2024, nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare shqipe, filluan të mblidheshin në qendrën sportive «Heerenschürli» në Cyrih, ku për nderë të ditës ndërkombëtare të fëmijëve, nga LAPSH-i «Naim Frashëri» për kantonin e Cyrihut, u organizua turnir në futboll për nxënësit që shkojnë në mësimin shqip të organizuar nga LAPSH-i.
Madhështinë kësaj feste dhe këtij turniri futbolli ia shtoj prania e Ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Bern, zotni Mentor Latifi, Drejtuesit të Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, zotni Vigan Berisha, sikurse edhe sponsorit tonë, me këtë rast, FWM Partner AG, me seli në Glattbrugg. Sponsori ynë ishte me një pesë të bashkëpunëtorëve dhe kishin sjellë me vete edhe trikot për ndeshjet sportive me logot e LAPSH-it për të gjithë fëmijët. Po ashtu për të pranishmit u organizua edhe një lojë shpërblyese, cila vazhdon edhe më tutje deri më 31.12.2024.
Turnirin e shpalli të hapur kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut z. Naser Ulaj i cili u uroj nxënëseve dhe prindërve mirëseardhje në këtë turnir futbolli dhe uroj që më i miri të fitoj. Ai ftoj për një fjalë rasti Ambasadorin tonë në Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë z. Latifi, i cili u shpreh i nderuar dhe i lumtur që është sot pjesë e këtij turniri të LAPSH-it. Ai i përgëzoj nxënësit, prindërit dhe LAPSH-in për punën e tyre të devotshme të mbajtjes gjallë të mësimit në gjuhën dhe kulturën shqipe dhe i inkurajoj ata që edhe më shumë të punojnë në këtë drejtim. Ambasadori Latifi simbolikisht hapi vet turnirin e futbollit duke e luajtur topin e parë në drejtim të skuadrës e cila duhej ta niste lojën si dhe përcolli edhe një pjesë të ndeshjeve në turnir.
Edhe drejtuesi i Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih (Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih) z. Vigan Berisha përgëzoj të gjithë të pranishmit, nxënës, prindër, arsimtarët/et mysafirët dhe Kryesinë e LAPSH-it «Naim Frashëri» të kantonin e Cyrihut për këtë organizim dhe i ftoj të gjithë që të dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe i cili zhvillohet në kuadër të LAPSH-it. Z. Berisha ishte i pranishëm tërë kohë në këtë manifestim dhe në fund ndau edhe medaljet për ekipet fituese.
Në shenjë nderimi për Ambasadorin Latifi dhe Drejtuesin e Misionit konsullor Berisha, Shkolla Shqipe LAPSH-Zürich ua dhuroj atyre nga një triko me logon e LAPSH-it të cilat i bartnin nxënësit në lojërat e zhvilluara.
Edhe pse koha ishte me vranësira, për fat nuk pati shi, dhe ç’do gjë shkoj si më së miri.
Kategorizimi i fituesve në turnir sipas skuadrave të cilat i emërtuan vet nxënësit, para fillimi të turnirit.
Klasat 1-3
1. Shqiponja
2. Shqiponjat e Zeza
3. Vlora
Klasat 4-6
1. FC Lapshi
2. Lumi i Shkëmbit
3. FC Shqipëria
Klasat 7-9
1. Drita
2. Autokton
3. Prindërit dhe Lapshi
Fituesit në kategoritë e klasave i përgëzojmë për fitoret e tyre, kurse të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre i falënderojmë për pjesëmarrjen madhështore dhe përplotënimin e këtij organizimi.
Ambasadori i Latifi, i ndarë i kënaqur nga veprimtaria e sotme kishte dërguar në mbrëmje edhe një falënderim të tij në adresë të Kryetarit të LAPSH-it z. Ulaj për turnirin e sotëm me nxënësit/et e LASPH-it:
«I nderuari z. Ulaj,
Faleminderit për ftesën tuaj!
Ju lumtë ju dhe LAPSH-it, për organizimin aq të mire dhe të qëlluar për ti mbajtur afër rininë tonë.
Ju përshëndes miqësisht,
Mentor Latifi»
Faleminderit të gjithë të pranishmëve të cilët ndihmuan në organizimin, dhe zhvillimin me sukses të këtij turniri.
Falënderim i veçant për komisionin organizativ përberë nga :
Fatjon Bajrami, anëtar i kryesisë së LAPSH-it,
Naim Shashivari, anëtar i kryesisë së LAPSH-it,
Faton Shabani, arsimdashës
Rasim Beçiri, arsimdashës
Mirë u pafshim në takime të tjera!
Fotografitë Lulzim Hasi,
Kryesisa e LAPSH-it për kantonin e Cyrihut
Gëzim Kasumaj, nënkryetar
Zyrtar për marrëdhëniet
me publikun dhe mediat