Bildungsdirektion Kanton Zürich-Volksschulamt Plani mësimor kornizë Informatë për prindër Fletëparaqitje për regjistrim MINISTRIA E ARSIMIT SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË SË KOSOVËS Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë



Donacionet & Anëtarsimi


PËRCAKTIMI I NIVELIT GJUHËSOR TË NXËNËSVE NË KLASAT ME MËSIM PLOTËSUES NË GJUHEN SHQIPE NË MËRGATË





Mësimi plotësues në gjuhën shqipe në mërgatën shqiptare ka krijuar tashmë një traditë, por kjo traditë është ende e brishtë. Për arsye të ndryshme fillimet e tij janë përcjellur me vështirësi nga më të ndryshmet. Por vendosmëria për ta çuar përpara mësimin plotësues ka bërë që ky mësim të ketë rëndësinë e vet në komunitetin shqiptar që jeton në vende të ndryshme të botës.

Për ta theksuar rëndësinë e përcaktimit të nivelit gjuhësor të nxënësve do përmend disa specifika të këtij mësimi.


1. Përbërja e klasës


Në klasat e mësimit plotësues vijnë nxënëse dhe nxënës me nivele të ndryshme të njohurive në gjuhën shqipe. Ka nxënës të cilët e njohin në mënyrë të kënaqshme gjuhën shqipe, si ndikim i rrethanave familjare, i ambientit shkollor ose nga fakti se sa gjatë jetojnë në vend të huaj. Një numër i nxënësve ka njohuri të pakta në gjuhën shqipe sepse veç kanë lindur në vend të huaj dhe bilingualizmi nuk është përkrahur sa duhet qoftë nga familja apo nga shkolla. Kjo sjell si pasojë që gjuha e vendit zë vendin e parë kurse gjuha amtare kalon në vendin e dytë. Një numër tjetër i nxënësve vijnë nga familje të përziera (tendencë kjo në rritje në kohën e fundit) dhe sjellin njohuri shumë të pakta ose fare në gjuhën shqipe.

Në klasat e mësimit plotësues vijnë nxënës të moshave të ndryshme. Kjo sjell një vështirësi të re ngase bashkë me nxënës të klasës së dytë apo të tretë gjenden edhe nxënës të klasës së shtatë apo të tetë, të cilët shpesh nuk parapëlqejnë të jenë në një klasë me nxënës të një moshe të tillë.

Është me rëndësi të theksohet se një pjesë e vogël e prindërve të cilët kanë një arsimim të lartë nuk i dërgon fëmijët në mësimin plotësues. Ata shpesh arsyetohen me me atë se vetë ata punojnë me fëmijët e tyre ose se mësimi plotësues nuk ka një kualitet të lartë. Është e njohur se familjet shqiptare në përgjithësi në vendet e Evropës Perëndimore i takojnë shtresës më të ulët shoqërore në ato vende. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në arsimimin e fëmijëve në përgjithësi në shkollë si edhe në mësimin plotësues. Një pjesë e prindërve është e absorbuar nga puna kështu që të mospasja e prindërve në dispozicion konsiderohet nga psikologët se krijon një zbrazësi shumë të madhe në zhvillimin e fëmijëve.

Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare edhe pse kanë jetuar gjatë periudhës së luftës jashtë Kosovës kanë pësuar trauma dhe edhe sot jetojnë nën ndikimin e tyre. Kjo gjendje traumatike vërehet tek mjaft fëmijë në klasat e mësimit plotësues. Për të qenë e keqja më e madhe mjaft mësues në emër të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të vijës patriotike i bombardojnë fëmijët me tregime e poezi që janë shpesh të rënda për moshën e tyre dhe ndodh që veç e forcojnë edhe më tepër gjendjen e tyre traumatike.


Duke i pasur parasysh ato që u thanë më lartë, duke pasur parasysh që shpesh në klasat e mësimit plotësues vijnë fëmijë që kanë kryer disa klasë të shkollës fillore, ose vijnë veç kur kanë kaluar tre apo katër muaj prej se ka filluar viti shkollor, është i domosdoshëm përcaktimi i nivelit të tyre gjuhësor. Një përcaktim i nivelit të tyre gjuhësor mundëson që mësimdhënësi të ketë një pasqyrë të qartë të njohurive të secilit fëmijë veç e veç dhe kështu të dijë pastaj të punojë me secilin fëmijë duke u nisur nga niveli në të cilin ajo/ai është për të formuar grupe të niveleve të ndryshme. Kjo është dëshmuar si një zgjidhje më e suksesshme se sa mënyra se si është përcaktuar me plan-programin mësimor të cilin ende e kemi në fuqi.


Pra në mësimin plotësues nuk është gjithsesi primare se në cilën klasë gjendet momentalisht një nxënëse apo nxënës, por, niveli në të cilin ajo apo ai gjendet në aspektin gjuhësor.



Çfarë është përcaktimi i nivelit gjuhësor


· një procedurë me anë të së cilës mund të evidentohet niveli momental i zhvillimit gjuhësor të fëmijëve dhe të rinjve

· mund të zhvillohet në formë të drejtpërdrejtë ose si vëzhgim pjesëmarrësi ose si procedurë e testit me gojë apo me shkrim

· te niveli i përcaktimit të gjendjes gjuhësore duhet të merren parasysh fushat e ndryshme gjuhësore (si në atë me gojë dhe në atë me shkrim):


1. Fusha semantike (Njohja e fjalëve dhe kuptimi i tyre, nivelet e kuptimeve, klasifikimet etj. Të kuptuarit e ngërthimeve në aspektin e strukturës sintaksore)

2. Fusha sintaksore (Formimi korrekt i fjalive kryesore dhe atyre të nënrenditura, të kuptuarit e fjalive jo të plota te të folurit me gojë)

3. Fusha fonetike (Të shqiptuarit sipas modelit konform të fjalëve dhe fjalive, njohuritë e rregullave të shqiptimit, të kuptuarit e asaj që dëgjohet etj.)

4. Fusha morfologjike ( njohuritë dhe përdorimi korrekt i formave të ndryshme të fjalëve, të formimit të fjalëve etj.)

5. Fusha komunikuese-sociale ( Përdorimi i gjuhës diferencuese sociale në raport me grupet e ndryshme dhe situatat komunikuese, aftësia për të njohur konotacionet etj.

6. Fusha e shenjave (Njohuri të përdorimi të shenjave gjatë të shkruarit të fjalive si dhe të përsëritjes gjuhësore, renditja e fotografive/simboleve/fjalëve – kuptim, shkathtësia në të lexuar, drejtshkrimi sipas rregullave konforme

7. Fusha e interferencave (Marrja parasysh e ndikimeve ndërruese mes gjuhës së parë dhe të dytë në aspektin fushës fonetike, gramatikore, semantike dhe stilistike tek shumë interferime)

8. Fusha teknike ( Aftësia për përdorimin e fjalorëve, leksikonëve etj.)

9. Fusha e gjesteve-mimikës (pjesërisht e lidhur me specifika kulturore pjesërisht kuptime universale)

10. Fusha psikologjike (Marrja parasysh e pengesave eventuale, për tu shprehur me gojë apo me shkrim ose për tu përgatitur në aspektin gjuhësor)

(paraqiten folie me materiale të fushave të lartpërmenduara që mund të përdoren për të bërë përcaktimin e nivelit gjuhësor të nx.)


Cili është qëllimi i përcaktimit të nivelit gjuhësor


Diagnostifikimi gjuhësor ka këto qëllime:


1. Vlerësimi i zhvillimit të arritur gjuhësor

2. Analizimi i gabimeve dhe nxjerrja e përfundimeve

3. Përcaktimi i saktë i nevojës për përkrahje diferencuese  të nxënësve


Kur bëhet përcaktimi i nivelit gjuhësor të nxënësve?


- Zakonisht në fillim të vitit shkollor. Pasi që të bëhet përcaktimi i nivelit gjuhësor të nxënësve krijohen mundësitë për formimin e niveleve të ndryshme brenda një klase. Gjithashtu krijohen mundësitë për përkrahje individuale në fushat ku nxënësja ose nxënësi ka vështirësi, vështirësi këto të cilat janë identifikuar përmes përcaktimit të nivelit gjuhësor.

- Gjithashtu në klasat e mësimit plotësues shpesh vijnë fëmijë pasi që ka filluar viti shkollor. Te këta fëmijë është i domosdoshëm që të bëhet përcaktimi i nivelit të tyre gjuhësor në mënyrë që të krijohet një pasqyrë e qartë për gjendjen dhe nevojat specifike të përkrahjes së fëmijës. (jepen shembuj konkret përmes folieve mbi përvojat e krijuara në këtë drejtim)

- U theksua më lartë se nuk është me rëndësi primare se në cilën klasë është një nxënës në shkollën e rregullt të cilën ajo ose ai e vijon. Ka raste kur një nxënës i klasës së gjashtë është shumë më i dobët se një nxënës i klasës së katërt në gjuhën shqipe. Si ndodh kjo? Nxënësi i klasës së katërt ka vijuar në mënyrë të rregullt mësimin plotësues kurse nxënësi i klasës së gjashtë jo. Kështu që nxënësi i klasës së katërt ka një nivel gjuhësor më të arritur se nxënësi i klasës së gjashtë. Puna me nivele grupesh dhe me mësimin tematik i cili iu përshtatet nevojave dhe aftësive të nxënësve është treguar nga praktika në fushën e mësimit plotësues më i suksesshëm se sa mësimi me nxënësit në bazë të klasave ku ata vijojnë mësimin e rregullt.   


Çfarë pas përcaktimit të nivelit gjuhësor të nxënësve


- Mësuesit kanë për detyrë që të bëjnë një plan të përimtuar pune me secilin nxënës për të mënjanuarzbrazësitë që janë identifikuar. Në periudha të caktuara kohore duhet të kontrollohen të arriturat e secilit nxënës veç e veç.

- Mësimi duhet të planifikohet në mënyrë të tillë që të nxitë fëmijët të veprojnë, të mësojnë dhe të flasin     

- Struktura dhe ritmizimi i sekuencave gjuhësore do t’iu përshtaten nevojave të nxënësve

- Tek përkrahja e filluar gjuhësore, në qendër do të jenë format mësimore të cilat përkrahin aspektet kognitive dhe veprimet orientuese të nxënësve.

- Përmes udhëzimeve të qarta fëmijët do të nxiten për të vepruar në mënyrë të pavarur, për të mësuar dhe për të bërë reflektime. Me këtë përkrahet kreativiteti, motivimi për të mësuar dhe pavarësia e nxënësve.



________________________________________

|Kumtesë e mbajtur në seminarin e SHSHMP në Diasporë |

 | Nexhat Maloku | Prishtinë, Korrik 2005 |